PRO QEN ALBANIA

Shoqata austriake në mbrojtje të kafshëve "Pro Qen Albania" u legalizua në nëntor të vitit 2015, pas një praktike disa vjeçare në ndihmë të kafshëve të rrugës në Shqipëri, kuptohet që pandashëm nga kjo në ndihmë direkte të kafshëdashësve e aktivistëve në qytete të ndryshme të saj.

Gjatë vizitave në Shqipëri, lindi nevoja të ndërmerrnim diçka në lidhje me gjendjen e mjerueshme të qenve të rrugës atje. Trajtimi jo human i tyre, vrasjet e helmimet në mes të ditës por edhe natën në mënyrë të fshehtë, të pabesë e të paligjshme, përbuzja, keqtrajtimet, por edhe përbuzja e fyerja me të cilat ndeshen kafshëdashësit e aktivistët që duan ta ndryshojnë këtë realitet me shumë punë, vetmohim e mbi të gjitha me respekt e dashuri për gjallesat e këtij planeti, këto e shumë arsye të tjera na dhanë forcë të ndërmerrnim diçka. 
Deri tani jemi përpjekur të ndihmojmë në: projekte sterilizimi, raste urgjente si edhe duke mbledhur ndihma materiale (ushqime, mjekime, mbulesa, kosha, kolibe, etj.) në Austri e duke i transportuar ato drejt Shqipërisë.
 
Në harkun kohor 2014-2018:
Jemi përqendruar te dy shoqata aktive e shembullore që janë "Animals need me" në Shkodër dhe "Protect ME Albania" në Vlorë. Dëshira jonë është të ndihmojmë edhe kafshëdashës e aktivistë të tjerë, por në kushtet e një shoqate të re si kjo e jona, me pak anëtarë kjo ende nuk është e mundur. 
Gjatë takimeve tona me aktivistët në Shqipëri kemi biseduar rreth shumë temash, për zgjidhjet në të ardhmen, për vazhdimësinë e këtij misioni tejet të vështirë por mëse të domosdoshëm, për bashkëpunimin me bashkitë përkatëse, për projekte të gjera e të vazhdueshme sterilizimi e vaksinimi si edhe për regjistrim të popullatës së qenve, duke përfshirë edhe qentë me pronarë, si në qytete ashtu edhe në fshatra.
Këtu do të fokusohemi edhe në ardhmen. 
Jeni të gjithë të mirëpritur të bëheni pjesë e jona, pjesë e një pune të gjatë në ndihmë e mbrojtje të kafshëve, të ndihmoni e të jepni idetë e mendimet tuaja për vetëdijësimin dhe marrëdhëniet e drejta me kafshët, po ashtu të ndërmjetësoni për përfshirjen e strukturave institucionale përkatëse.
Jepni ndihmën tuaj materiale apo intelektuale për përmirësimin e kushteve të jetesës të qenve të rrugës (shpeshherë edhe të qenve me pronarë që jetojnë po në të njejtat kushte si ata të rrugës ose edhe më keq, të lidhur me zinxhirë, të paushqyer, të keqtrajtuar, të lënë në harresë) në qytetet e fshatrat në Shqipëri.
Ndryshimi fillon me secilin/secilën nga ne.
Na kontaktoni për çdo rast përmes e-mailit, formularit elektronik të kontaktit ose celularit, informohuni në faqen tonë në Facebook Pro Qen Albania si edhe përmes faqes sonë të internetit për aktivitetet tona dhe na u bashkangjitni!
Bëhu edhe Ti anëtar i shoqatës dhe jep ndihmën tënde materiale (anëtar: € 40,- në vit) apo intelektuale
Adopto në distancë (shih: Patenschaften) me € 25,- Euro në muaj.
(C) Mag.phil. Erza Cermjani